
Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar një person i cili është kapur duke qarkulluar me 196 km/orë në aksin Sauk-Teg. Gjatë verifikimit rezultoi se drejtuesi i mjetit ishte me patentë të hequr, megjithatë kjo nuk e kishte penguar të lëvizte sërish.
Gjithashtu, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, në Bërzhitë, është konstatuar nga radari, 19-vjeçari F. P., nga Tirana, duke drejtuar automjetin me 173 km/orë.
Policia njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë pezulluar 63 leje drejtimi, nga të cilat 46 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Po ashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 2965 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor. (A2 Televizion)