
Një ditë pas aksidentit tragjik në autostradën Levan-Vlorë, ku humbën jetën 4 persona të së njëjtës familje, si dhe u plagosën 3 të tjerë, Policia Rrugore thotë se ka ngritur grupe të posaçme drejtimi, për të monitoruar zbatimin e sanksioneve të reja administrative që kanë hyrë në fuqi me ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor.
Gjatë ditës së sotme, në të gjitha akset rrugore nacionale dhe në zonat bregdetare, Policia thotë se ka pezulluar 39 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, matur me radar, dhe 27 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.
Gjithashtu janë vendosur 473 gjoba për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 397 gjoba për mospërdorim të rripit të sigurisë, 644 gjoba për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 194 për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 778 gjoba për parakalime të gabuara dhe 182 gjoba për mosruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve.
“Nisur edhe nga aksidentet e fundit rrugore, sektorët e Policisë Rrugore vendore, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera policore në nivel qendror dhe vendor, janë angazhuar maksimalisht me të gjitha burimet njerëzore dhe teknike, për të parandaluar dhe verifikuar çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që mund të jetë rrezik apo shkak për aksident rrugor”, thotë Policia.
Në fokusin e kontrolleve të përqendruara në rrugët urbane dhe interurbane janë shpejtësia mbi normat e lejuara, mosrregullimi i shpejtësisë, veçanërisht në qendrat e banuara, sjelljet agresive dhe manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit, parakalimet e gabuara, mospërdorimi i rripave të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit për fëmijët nën 12 vjeç, si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjeteve, që mbetet një nga shkeljet më të rrezikshme dhe në masë tek drejtuesit e mjeteve. Për këtë shkelje, për shkak të rrezikshmërisë dhe numrit të lartë të konstatimeve me ndryshimet e fundit është dhjetëfishuar sanksioni administrativ dhe në rast konstatimi në përsëritje 3 herë brenda vitit, krahas masës, drejtuesit të mjetit i pezullohet leja e drejtimit për 3 muaj”, thotë Policia. (A2 Televizion)