Prodhonin kriptomonedha, një i arrestuar dhe një i shpallur në kërkim

Nga A2 CNN
26 Qershor 2021, 13:15 | Kronikë

Policia ka arrestuar një person, si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, ndërsa një i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për vepra penale që lidhen me fushën e krimit kibernetik.

Operacioni është drejtuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë e Fierit.

Si rezultat i hetimeve të kryera u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Fabrika”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 26 vjeç, banues ne Tiranë, u shpall në kërkim shtetasi F. K., 25 vjeç, banues në Sarandë, si dhe është proceduar penalisht shtetasi F. B., 61 vjeç, banues në Fier. Për këta shtetas u dërguan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Policia thotë se këta persona dyshohen se kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një strukture për prodhimin e kriptovalutave, të cilat krijohen me anë të futjes dhe ndryshimit të të dhënave kompjuterike në pajisje elektronike, duke krijuar përfitime monetare, si dhe shmangien e procedurave ligjore në lidhje me detyrimet ndaj shtetit dhe vjedhjen e energjisë elektrike për sa i përket montimit të pajisjeve elektrike, marrjen e energjisë elektrike etj., por dhe funksionimin e rregullt të këtij aktiviteti për sa i përket të ardhurave etj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 11 pajisje elektronike për prodhimin e kriptovalutave, pajisje të telefonisë celulare, pajisje ndihmëse elektronike etj. Policia thotë se punon për evidentimin dhe vendosjen përpara drejtësisë dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos