
Një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një pellg uji, gati 100 metra larg vendit ku u vra 25-vjeçari Klodian Rasha, është pika më e errët në hetimin e ngjarjes së 8 dhjetorit. Hetuesit nuk kanë mundur të gjejnë prova që mund ta lidhin atë me 25-vjeçarin, apo me ndonjë person tjetër.
Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se në pistoletën tip “Zoraki” nuk janë gjetur shenja gishtërinjsh. Për këtë shkak, në ditët në vijim, ajo pritet të dërgohet në një laborator të specializuar jashtë vendit. Sipas burimeve, dërgimi i saj do të bëhet me qëllim vërejtjen e çdo gjurme të mundshme, përfshi përftimin e një materiali ADN për identifikimin e zotëruesit të saj.
Në deklarimet e dhëna për ngjarjen, punonjësi i policisë Nevaldo Hajdaraj u shpreh se teksa po ndiqte Rashën, ai kishte futur dorën në brez dhe kishte nxjerrë një objekt në dukje si një armë. Po sipas tij, i riu i kishte thënë “mos më ndiq se të vras”.
Deri më tani, prokuroria ka mundur të zbardhë të plotë dinamikën e ngjarjes. Efektivi Nevaldo Hajdaraj u hetua fillimisht për “vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme”, por hetimi i çështjes dhe provat e siguruara diktuan ashpërsimin e akuzës në “vrasje me dashje”. (A2 Televizion)