
Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar këtë të enjte formularin e vetëdeklarimit 3 personave të tjerë. Bëhet fjalë për Geno Lenën, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Lena akuzohet se është pjesë e grupit prej katër personash që më 5 gusht të vitit 2019 kanë vrarë Arben Beqirajn, në zonën e plazhit në Vlorë. Të akuzuar për ngjarjen janë edhe Eduart Xhezo, Ariel Kingji dhe vëllai i Lenës, Çelik.
Formulari i është dërguar edhe Orgest Ballës, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, si edhe Endrit Qyqjes, pjesë grupit të Emiliano Shullazit, i cili është dënuar për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim. (A2 Televizion)