Të mbash titullin profesor në Shqipëri, nuk të bën domosdoshmërish më të paguar. Kjo aq më pak nëse je i punësuar si pedagog në universitetet publike.
Rritjet e pagave për personat që mësojnë elitat kanë qenë të rralla përgjatë viteve, gjithmonë të vonuara dhe gjithmonë e më pak të ndjeshme në xhepat e tyre. Titulli akademik “Profesor” sot paguhet në arsimin e lartë 80,300 lekë. Nga viti 2005, kur paga ishte 56 mijë lekë, rritja është nën çdo llogaritje të shtrenjtimit të jetesës.

Kjo pagë aktuale, vlerësohet si më e ulëta në rajon, ku Kosova ka rrogën mesatare më të ulët në 850 euro, ndërsa Mali i Zi kryeson me 1,830 euro, apo mbi trefish.

Kërkesës së pedagogëve për një rritje me 50%, i vjen kundër oferta e kryeministrit për rritje 15%: ku shtetit do të paguajë 7%-shin. Efekti në buxhet për afro 950 pedagogët në universitetet publike do të ishte vetëm 600 mijë euro në rastin që propozon qeveria dhe 4.2 milionë euro në skenarin e synuar.

Shifra të mëdha në sytë e shtetit, nëse marrim për bazë se buxheti për kërkim shkencor nga qeveria ishte vetëm 350 milionë lekë në vitin 2022, apo më pak se 3 milionë euro. Teksa financimi ndër vite ka qenë edhe më i ulët se kaq, edhe produkti rrjedhimisht ka qenë i dobët. Artikujt shkencorë të publikuara nga pedagogët e universitetit të Tiranës në 22 vitet e fundit janë 1,270: apo vetëm 58 publikime në vit.

Shifrat e kërkuara janë të vogla në anën tjetër, nëse konsiderojmë se oferta e qeverisë është aq sa shpenzon Kuvendi në 1 vit për telefona, karburant dhe udhëtime jashtë vendit. (A2 Televizion)
