PD drejt 13 qershorit

Nga A2 CNN
17 Maj 2021, 23:13 | Politikë
PD drejt 13 qershorit

Gjata: Beteja e PD-së për zgjedhjet, shkatërrimi i bashkëpunimit të politikës me krimin

Beteja e Partisë Demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kaluar në një fazë tjetër atë të misionit për shkatërrimin e bashkëpunimit të krimit me politikën. Kështu u shpreh në studion e “Absolut 4” sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata.

“Ky moment historik është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ka kaluar në një fazë tjetër tani me precedentë tepër të rrallë në vendet europiane, dhe më shpesh në Lindje, kalimi nga përplasjet e vogla deri te mospranimi i rezultatit, tani nuk jemi këtu. Jemi në fazë tjetër; bashkëpunimi i kastës politike në pushtet me krimin e mafian, si rasti i patronazhistit, vënia në dispozicion e kësaj kaste politike, të gjithë administratës shtetërore në shërbim të tyre, këtu janë zgjedhjet. Kjo ka bërë që PD ka një mision që duhet ta shaktërrojë këtë”. (për më shumë)

Dervishi: Mungon analiza e brendshme në PD. Zgjedhjet brenda partisë duheshin shtyrë

Analisti Lutfi Dervishi deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se në Partinë Demokratike mungon analiza e brendshme.

“Nëse Partia Demokratike pretendon për masakër elektorale, duhet të bësh diagnostifikimin e të gjithë procesit, fillimisht përmes rrugëve ligjore që ke nisur. Duhet pritur edhe raporti i OSBE/ODIHR-it. Por, mungon analiza e brendshme në PD”, tha Dervishi. Sipas Dervishit, në Shqipëri “mungon edhe qarkullimi i elitave politike”. (për më shumë)

Kalemaj: Partitë kanë dështuar në testin e demokracisë së brendshme

Analisti Ilir Kalemaj u shpreh në studion e “Absolut 4” në A2 se partitë tona politike kanë dështuar “në testin e demokracisë së brendshme”.

“Ne kemi dështuar sërish testin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Por, edhe partitë kanë dështuar në testin e demokracisë së brendshme, kanë dështuar në riprodhimin e elitave, kanë dështuar në prodhimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe në transparencën financiare”, tha Kalemaj.

Por, sipas Çlirim Gjatës, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, qarkullimi i elitës nuk është “largohu njëri dhe eja tjetri”, por është një filozofi. (për më shumë)

A duhet të japë dorëheqjen Basha?

Sa i takon zërave për dorëhqjen e Lulzim Bashës pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, Çlirim Gjata shprehet se është e pamundur të veprohet mbi bazën e standardit të moralit perëndimor, kur standardet këtu janë ndryshe.

“Kjo nuk ndodh shumë në Itali nuk ndodh, ke plot raste për të marrë. Nëse do veprojmë mbi moralin politik perëndimor edhe situata duhet të jetë e tillë, jo kur hyn dhunshëm dhe ti ke vetëm fjalën dhe ty të kërkohet faji. Është e pamundur ta pranosh këtë, duhet të shohim standardet se ku ndodh. Në zgjedhjet e mëparshme ne kemi thënë që pse nuk keni folur më parë. Edhe këtë herë ne i kemi rënë kambanës. Kemi bërë kallëzime penale dhe në SPAK. I kemi rënë kësaj kambane se kishim të gjitha shenjat se çdo ndodhte. Krimineli nuk shkon vetë çon djalin dhe dhëndrin deputet pa i njohur njeri marrin votat”. (për më shumë)

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD: Fraksionet shihen si të rrezikshme për liderin

Gent Malko është anëtar i Këshillit Kombëtar, kritik ndaj lidershipit të Lulzim Bashës, por jo pjesë e grupit “Për PD-në”.

“Do të kishte qenë ideale që gjithë ai numër njerëzish me linjë kritike pas 2017 të ishin mbledhur së bashku, se do të ishin më imponues brenda PD-së. Fakti që jemi fragmentizuar sjell edhe pamundësinë për t’u imponuar”, thotë Malko i ftuar në Absolut 4.  

Por pse ndodh kjo? “E kam vrarë mendjen edhe vetë, dhe besoj se ka të bëj pak me mentalitetin e popullit dhe partisë, ku ne lidhemi më shumë me liderin, ndërkohë që nuk e kemi të fortë idenë e përbashkët”, shton ai.  

Fraksionet në partitë shqiptare sipas tij shihen si element për t’u shkatërruar.  “Pasja e fraksioneve nuk është në mentalitetin e partive tona. Fraksionet janë një element shumë i rrezikshëm për liderët tonë. Në teorinë politike fraksionet janë pjesë të partisë që kanë një qasje ideologjike të ndryshme mbi çështje të caktuara. Ata mund të shuhen brenda partisë ose mund të krijojnë ndarje. Eksperimenti i 92 brenda PD ishte i fundit në PD, pikërisht sepse u pa si i rrezikshëm”, nënvizon Malko.  (për më shumë)

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos