Dy operacione antidrogë u zhvilluan orët e fundit në Itali, ku ranë në pranga 7 shqiptarë që trafikonin drogë.
Në rastin e parë bëhet fjalë për arrestimin e 6 shqiptarëve në Torino, të moshave nga 22 deri në 41 vjeç, të cilët kishin zhvilluar një sistem të sofistikuar të shpërndarjes së drogës.
Ata kishin bërë marrëveshje me pronarët e një restoranti në zonë dhe klientët telefononin aty për të porositur pica dhe birra. Në varësi të kodit, përdoruesve u vinte në shtëpi droga. Banda e fshihte kokainën në pyll, siç duket edhe në video, ndërsa trafikantët shkonin atje sapo bëhej porosia në telefon.
Në rastin e dytë, të regjistruar në Lecco u arrestua një shqiptar 36 vjeç, i dënuar në vitin 2015 me 7 vjet burg për trafikimin e 30 kg hashash. Sapo ishte kthyer në shtëpi, ai rinisi punën si furnizues i shpërndarësve dhe kur policia i kontrolloi banesën gjeti 2 kg kokainë me vlerë 1 milion euro.

Një nga pakot 1 kilogramëshe u gjet e bërë gati në doza 50 dhe 100 gramëshe, gati për shpërndarësit, ndërsa pakoja tjetër me foton e panterës, që sipas ekspertëve tregon edhe prejardhjen e kokainë, u sekuestrua në garazh. (A2 Televizion)