
Presidenti i Republikës, Ilir Meta doli në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së mërkurës ku foli për procesin e plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Kreu i Shtetit deklaroi se menjëherë pas kthimit nga vizita në Francë vendosi të firmosë dekretin për përzgjedhjen e zonjës Marsida Xhaferllari si anëtaren më të re të Gjykatës Kushtetuese. Ai u shpreh se nuk ka shkelur asnjë afat për plotësimin e vakancës që i takon për këtë gjykatë dhe kërkoi nga kreu i KED të mos bëjë lojëra me kohën se kur dërgon listat e kandidatëve.
“Ta keni të qartë se nuk ka një afat të caktuar për Presidentin e Republikës. Ka afat për Parlamentin, pasi është një institucion kolegjial, por nuk ka një afat në Kushtetutë për Presidentin
“Nuk mundet që KED-i, i cili është institucion kolegjial apo akoma më keq, kryetari i KED-së, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke e vendosur vetë kohën se si i dërgon listat për vakancat që krijohen, në këtë rast mes Presidentit dhe Parlamentit, në mënyrë të tillë, të dyshimtë, për të mos thënë, pa e tepruar mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë që të shkelë detyrimisht Kushtetutën””, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta shtoi se me mungesën e Gjykatës Kushtetuese vendi prej dy vitesh ka qenë pa Kushtetutë dhe për këtë arsye ngritja e saj është një moment historik.
“Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese. Kemi dy vjet pa Kushtetutë, se përderisa jemi pa Gjykatë Kushtetuese, jemi pa Kushtetutë. Për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas ndryshimeve që u bënë për reformën në drejtësi. Çdo akt në këtë proces i Presidentit, parlamentit është historik sepse do të mbahet si referencë”, shtoi Kreu i Shtetit. (A2 Televizion)