
Seanca e pestë e Gjykatës Speciale për ecurinë e çështjes kundër ish anëtarëve dhe komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pati mjaft debate. Në rend, diskutimi ishte shkëmbimi i materialeve dhe informacioneve mes prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës.
Përfaqësuesi ligjor i ish-presidentit Hashim Thaçi pati kritika të forta. “Ne po i marrim dokumentet një nga një, copë-copë, Prokuroria ka pesë vjet që punon dhe duhet të ishte gati, ata e kanë paraqitur aktakuzën para një viti e gjysmë, dhe tani nuk janë gati”, deklaroi Pierre Richard Prosper, avokat i Hashim Thaçit.
Debati mes palëve u ndez dhe më tepër, kur prokuroria kërkoi shtyrjen e datës për zhvillimin e seancës së parë gjyqësore nga shtatori për në tetor.
“Jemi në fazën kritike të këtij procesi dhe duke marrë parasysh problemet logjistike, ka dalë një punë që i ka marrë të gjitha burimet tona. Prandaj, ne parashikojmë që të vazhdojmë deri në shtator të këtij viti këto përpjekje dhe duke pas parasysh këto që i përmenda ne kemi paraqitur një datë tjetër”, deklaroi një nga përfaqësueset e Prokurorisë Speciale.
“E keni parë se si ata i ndryshojnë datat. Po bëhet fjalë për njerëz të privuar nga liria, nga e drejta e tyre. Janë privuar nga prezumimi i pafajësisë. Të gjithë klientët tonë rrinë në paraburgim larg familjes veç pse prokuroria nuk është gati”, vijoi Prosper.
Avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Kraniqit dhe Rexhep Selimit kërkuan lirimin e tyre me kusht. Një seancë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë për të shqyrtuar këtë kërkesë do të mbahet më 31 maj. Ish udhëheqësit e UÇK akuzohen për krime lufte dhe kundër njerëzimit për ngjarje të ndodhura mes marsit të 98-ësdhe shtatorit të 99-ës. (A2 Televizion)