Ernest Troshani u rikthye sërish në Spaç, aty ku qëndroi si i dënuar deri në rrëzimin e komunizmit.
Me hapa të qetë, ai u priu klerikëve, besimtarëve, por edhe atyre që synonin të merrnin sadopak nga përvoja dhe mesazhi i tij i krishterë.
Ndalesën e parë e bëri në mensën e ndërtesës ku kundërshtarët e komunizmit u detyruan të punonin në kushte mizerie, ndërsa të tjerë u izoluan dhe u dhunuan në qeli.
Dikur shërbeu ushqim, ndërsa sot bekoi vendin ku dikur, nën zë, bekonte bashkëvuajtësit e tij apo edhe ata që synonin të spiunonin diçka për t’ua rënduar dënimin.
Pak më tej ishte fjetina ku qëndroi për 12 vite. Sot, me qetësinë e tij, duket se ka falur ata që e dhunuan dhe i mohuan mundësinë për të qenë pranë njerëzve në nevojë.
Ndalesën e radhës e kishte në oborrin ku dikur numëroheshin të burgosurit, por edhe aty ku nisi revolta e vitit 1973, tre vite pasi Troshani u vendos në Spaç, i dënuar me tri akuza.
Ai u dënua dy herë për ekzorcizëm, por këtë herë e kreu atë aty ku ende jehon dhimbja e së shkuarës.
Përmes një letre të veçantë, Papa Leoni XIV shprehu emocionet e tij dhe iu bashkua atyre që u mblodhën në Spaç në krah të kardinalit.
“Ai vend është gdhendur në kujtesën e popullit shqiptar dhe mbetet një nga faqet më të dhimbshme të historisë së tij. Një vend ku shumë veta kanë mbajtur kryqin e rëndë të padrejtësisë. Gjaku i atyre që kanë vuajtur dhe kanë vdekur mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë dëshmi të heshtur besnikërie, guximi dhe shprese.
Kujtesa na sjell ndër mend se asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar”, shkruhet ndër të tjera në mesazhin e Atit të Shenjtë.
(A2 Televizion)