“S’duam hakmarrje, duam drejtësi”, ky ishte mesazhi i familjes Zejnullahu në marshimin protestues që u mbajt në Lipjan pas vdekjes tragjike të Agonit. Pesë zyrtarë policorë ndodhen në paraburgim, ndërsa qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe hetim transparent.
Dhjetëra protestues morën pjesë në një marshim për të kërkuar drejtësi për Agon Zejnullahun, të riun i cili vdiq pak momente pas arrestimit në Lipjan në orët e para të datës 7 korrik.
Familjarët mbanin në duar parulla “S’duam hakmarrje, duam drejtësi” pas deklaratave të avokatit mbrojtës të një prej efektivëve policorë se klienti i tyre kishte mbetur në paraburgim për shkak të frikës nga hakmarrja e familjarëve.
Në këtë protestë u kërkua hetim i shpejtë dhe i plotë dhe jo heshtje, pasi sipas familjarëve, kjo vret për herë të dytë.
“Agoni nuk është vetëm një emër. Ai është simboli i një padrejtësie që nuk guxon të harrohet. Ai është kujtimi që na bën thirrje të mos mbyllim sytë. Të mos dorëzohemi. Të kërkojmë të vërtetën. Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent. Kërkojmë përgjegjësi. Kërkojmë veprim ligjor e jo heshtje institucionale sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, tha vwllai i Agon Zejnullahut.
Qytetarët që morën pjesë në protestë kërkuan më shumë profesionalizëm nga efektivët policorë dhe përgjegjësi institucionale.
Ata thanë se Policia e Kosovës nuk guxon të shndërrohet në mjet që shtyp qytetarët.
Agon Zejnullahu kishte shfaqur sjellje agresive në një nga rrugët e Lipjanit gjë që kishte detyruar policinë të ndërhynte për ta arrestuar. Por vetëm pas prangosjes së tij u konstatua edhe vdekja e tij.
Rreshteri Ibrahim Nela dhe efektivët policorë Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri po vuajnë masën e paraburgimit pasi dyshohen për vrasje nga pakujdesia. (A2 Televizion)