
Edi Rama nuk votëbesohet në parti që prej viti 2009. Kjo dhe zhvillimet e fundit në opozitë, për analistin Afrim Krasniqi tregojnë nevojën emergjente për reformimin e partive politike. Në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, ai tha se duhet të jetë një ligj i ri që i detyron partitë të sillen në mënyrë demokratike dhe të jenë transparente me financimin.
“Ky kongres dhe zhvillimet në opozitë tregojnë sa i rëndësishëm është reformimi i tërësor partive politike. Ligji aktual nuk ofron asnjë garanci dhe nëse ka gjë emergjente në këtë vend duhet të jetë një ligj i ri që i detyron partitë të sillen në mënyrë demokratike nga ana formale dhe të jenë transparente me financimin. Ne pamë një dekor të kushtueshëm në këtë kongres. Kush paguan për këto dhe sa rol kanë oligarkët në vendimmarrje e sponsorizime të tilla? Ky do të ishte një reagim në nismat parlamentare për ta bërë ligjin e partive kryesor në agjendën parlamentare”, u shpreh Krasniqi.
Sa i takon akuzave të Ramës në lidhje me SPAK-un, Krasniqi nuk e justifikon heshtjen e këtij organi, por thekson se duhet të reagojë ndaj kujtdo politikani duke u dhënë mesazhin e qartë që nëse kanë fakte t’i deponojnë.
“Do të doja që SPAK të kishte dalë më deklaratë publike dhe të adresonte kritikat ndaj kryeministri dhe ta ftonte për çdo rast denoncimi përfshirë dhe deklaratën e sotme amerikane dhe sa dijeni ka ai për këto. Unë e kam përkrahur SPAK-un, por nuk kam motive e bindje për të justifikuar heshtjen e tyre kur sulmohen nga zyrtarët e larët politike ata duhet të reagojnë, duhet t’u adresojnë një mesazh të qartë palëve. Kush ka fakte të deponojë, këtë duhet të bënte SPAK. Korrupsionin nuk e bëjnë qytetarët që shesin perime, por zyrtarët janë përgjegjësit kryesorë për nivelin e korrupsionit në Shqipëri”.
Për Lutfi Dervishin 15 prokurorët e SPAK-ut nuk i japin dot zgjidhje gjithë problematikës së akumuluar në këto vite por të japin modelin e integritetit.
Për sa i përket Kongresit Socialist të 9 prillit, të dy analistët ndajnë mendimin se nuk solli asnjë risi dhe dobi në jetën e qytetarëve. (A2 Televizion)