
Për kryeministrin Edi Rama, futja e ish-deputetit Aqif Rakipi në listën e zezë amerikane, nuk e rrit skepticizmin e vendeve të unionit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Në një bashkëbisedim me gazetarët në Berlin, Rama rishprehu qëndrimin se në qershor pret hapin tjetër në procesin e integrimit.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi të mos i përgjigjet pyetjeve për futjen e Aqif Rakipit në listën e zezë amerikane. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Berlin, ai u shpreh se toka gjermane nuk mund të përzihet me halle shqiptare.
“Nuk e kuptoj pse bëni këto pyetje kur jemi në Berlin. Këto janë pyetje që i takojnë katundit tonë të përbashkët. Kur të kthemi në katund t’i diskutojmë edhe këto në klubin e katundit tonë të përbashkët”.
I pyetur nga A2 CNN nëse këto vendime nga përtej Atlantikut mund të rrisin skepticizmin e integrimit, Rama mendon se ylli I vendosur nga Komisioni Europian në fletoren e detyrave të shtëpisë nuk mund ta eklipsojë suksesin e qeverisë.
A mendoni se përveç vetos bullgare, ajo që i step vendet e BE për ecjen përpara të Shqipërisë në procesin e integrimit europian si për shembull zgjedhja e një 27- vjecari pa asnjë kontribut vetëm se ishte djali i dikujt që më vonë u shpall non grata?, e pyeti gazetari i A2 CNN Klevin Muka.
“Jo s’kam arsye që të mendoj, nuk shoh asnjë stepje nga vendet e BE, përkundrazi!”
Gjatë takimit me kancelarin gjerman Olaf Sholchz u nënvizua rijetëzimi i procesit të Berlinit, nismë e cila duket se u dublua nga Ballkani i Hapur.
“Sikur të ishte mosmbështetës nuk do të përtonte ta thoshte as midis nesh asjnë publik. Përsa i përket atyre që janë në Tiranë dhe janë kundër, aq më pak shoh problem sepse nuk më intereson fare se çfarë mendojnë të tjerët. Më intereson se çfarë mendon shumica dërrmuese e shqiptarëve e cila e shprehu hapur në këshillimin kombëtar”, tha Rama.
Në vizitën e tij dy ditore në Gjermani kryeministri Rama mori sërish mbështetjen për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në. (A2 Televizion)