
Kultivimi i kanabisit në Shqipëri pritet që të pësojë rritje në vitin 2020. Në këtë përfundim ka dalë Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave, në bashkëpunim me Europol.
Ndër të tjera në raport thuhet se, një nga arsyet përse pritet të rritet mbjellja e lëndës narkotike është përqendrimi i agjencive ligjzbatuese në ruajtjen e masava kufizuese kundër përhapjes së Covid-19.
Një tjetër arsye që grupet kriminale kanë tendencë të rrisin kultivimin është edhe mungesa e hashashit në tregjet europiane pas pandemisë, gjë që ka sjellë edhe rritjen e çmimit në shumë shtete europiane.
Në raport thuhet se Shqipëria është një nga prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit të trafikuar në Bashkimin Europian, kjo nisur nga sekuestrimi i sasive të mëdha të lëndës narkotike që nisej nga Shqipëria me destinacion vendet e BE. Në Itali, gjatë 2016-s, u sekuestruan 42 tonë kanabis, ndërsa një vit më vonë u kapën më shumë se dyfishi, 90 tonë.
Në raport sqarohen edhe rrugët që ndjekin organizatat kriminale për trafikimin e kanabisit. Korridori jugor kalon përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, duke përdorur transportin detar dhe atë tokësor. Një tjetër rrugë është ajri, përmes përdorimit të avionëve sportivë. Edhe Policia dhe prokuroria shqiptare në raportin e vitit 2019-të thonë se kultivimi i kanabisit ka pësuar rritje në vendin tonë. (A2 Televizion)