Ristani tregon elementët që duhet të rregullojë Partia Demokratike brenda vetes

Nga A2 CNN
28 Tetor 2019, 14:30 | Politikë
Ristani tregon elementët që duhet të rregullojë Partia

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, tregoi në studion e Ditari në A2 se cilët janë elementët që duhet të rregullojë Partia Demokratike në mënyrë që të bëhet e besueshme dhe të kthejë shpresën te shqiptarët.

“Vetëm duke qenë e besueshme, opozita mund të rikthejë shpresën te shqiptarët dhe të jetë e gatshme për të drejtuar vendin. Ka disa elementë që duhen rregulluar për mendimin tim që PD të jetë e besueshme. PD duhet të jetë demokratike, me sistem parimesh që i ndjek në mënyrë të vazhdueshme, duhet program i besueshëm dhe njerëz që do ta realizojnë këtë program. U duhet thënë njerëzve se kush do të jetë nesër në vend të Gramoz Ruçit për shembull. Program, njerëz dhe aksion janë 3 elementët që i duhen PD-së”, theksoi Ristani.

Më tej, Ristani u shpreh se PD-ja duhet t’i kthehet rrugës institucionale.

“PD duhet patjetër që të gjejë mënyrën për t’iu kthyer rrugës institucionale, të forcojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe të harmonizojë të renë me përvojën, për të ndërtuar një ekip që i përfshin të gjithë elementët”, shpjegoi Ristani.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Ristani nuk mendon se ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive te listat.

“Reforma Zgjedhore kërkon vullnet politik dhe pa të, të gjitha të tjerat janë kozmetikë që nuk rregullojnë gjë. Te blerja e votës, për shembull, duhet të zbatohet ligji që të parandalohet një vepër e tillë dhe nuk ka nevojë për ndryshime në ligj. Problemi është te implementimi. Në rast se do të ecim drejt ndryshimeve ligjore, duhet të ndajmë së pari se çfarë synojmë, pse e duam ndryshimin e sistemit. Sistemet janë dy: mazhoritar dhe proporcional. Të gjitha janë sisteme demokratike dhe të provuara kudo në botë. Sistemi zgjidhet në varësi të konstruktit politik dhe shoqëror. Debatet sot janë të fokusuara te lista e hapur. Qëllimin e kanë te kufizimi i mundësive të kryetarët e partive për të ndikuar te listat, por ndryshimi i kodit nuk e realizon plotësisht këtë qëllim. Duhet të demokratizohen partitë së pari brenda vetes”, theksoi Ristani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos