
Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me skandalin e publikuar pak ditë më parë, të shitjes së bombolave të oksigjenit nga nipi i ish-drejtorit të kavajës. Nga ky spital përfaqësuesja demokrate Oriola Pampuri deklaroi se kjo ka ardhur për shkak të emërimeve partiake të kryeministrit Rama, duke nxjerrë në pah dështimin e plotë të sistemit shëndetësor
“Jemi përpara Spitalit të Kavajës, aty ku u denoncua rasti i Mensur Shtyllës, nipit të ish-drejtorit të Kavajës, Përparim Dahiu, i cili emëron nipin e tij në vend të oksigjenistit të dalë në pension, në shkelje të ligjit, i cili ndalon titullarët të emërojnë të afërmit e tyre në vendin ku ata punojnë. Mensur Shtylla shiste oksigjen jashtë ambienteve të spitalit hallexhinjve, njerëzve të pamundur. Dhe ky është skandali i cili nxori në pah propagandën e shëmtuar të Edi Ramës dhe Ogerta Manastirliut. Nxori në pah dështimin e plotë të sistemit shëndetësor, nxori në pah atë të cilën shesin nga mëngjesi deri në darkë, propagandën me konkurset fiktive dhe sigurisht atë të cilën mungon, mungesën e meritokracisë, në të gjitha sistemet tashmë”.
Duke sjellë në vëmendje problematikat në vend, Pampuri tha se Shqipëria e cila meriton një kryeministër i cili punon për shqiptarët.
“Shqipëria, një vend ku ka një numër të lartë të papunësisë, një vend ku kosto e jetesës është rritur, një vend ku numri i personave në varfëri ekstreme është i lartë, një vend ku përballë të gjithë kësaj është paradoksi i disa ministrave të cilët darkojnë me çmime ekstreme, në restorante luksoze në Dubai.
Shqipëria e cila meriton një kryeministër i cili punon për shqiptarët, t’u qëndrojë pranë shqiptarëve, sot ka një kryeministër të dështuar, ka një kryeministër i cili dështoi çdo sistem, përfshirë këtu edhe dështimin e tij më të madh, sistemin shëndetësor”. (A2 Televizion)