
Një tentativë antiligjore dhe antidemokratike për uzurpimin e Shoqatës së Bashkive nga Rama, e ka cilësuar, Jorida Tabaku mbledhjen e djeshme të Shoqatës së Bashkive që shkarkoi Voltana Ademin si kryetare dhe emëroi Pjerin Ndreun. Në një deklaratë për mediat, Tabaku, thekson se ky veprim synon tërheqjen e padisë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
“Vjedhja e zgjedhjeve të 25 Prillit do të përkeqësojë akoma më shumë gjendjen e demokracisë dhe të të drejtave të qytetarëve në vend. Për fat të keq, Edi Rama po jep çdo ditë provat e një kryeministri autokrat, i cili shkel çdo ligj, në funksion të pushtetit të tij dhe kundër opozitës. Me një akt të paprecedentë, antikushtetues, antiligjor, të falsifikuar, Edi Rama i ka hapur luftë Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e drejtuar nga kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, e vetmja kryebashkiake legjitime në vend. Kjo shoqatë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimeve të paligjshme lokale të 2 viteve më parë, duke vënë në rrezik një tjetër pushtet të vjedhur prej Edi Ramës”.
Sipas saj, vendimi për shkarkimin e Voltana Ademit si drejtuese e shoqatës nuk ka asnjë bazë ligjore. Tabaku thekson se kjo tentativa e Ramës për të uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë vjen pasi ai ka uzurpuar çdo institucion tjetër në vend.
“Është një vendim partiak, por pa pasoja ligjore. Personat që kanë marrë vendimin, nuk janë anëtarë të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë dhe nuk kanë asnjë të drejtë mbi të. Vetëm në Shqipërinë e Edi Ramës, një shoqatë mund të mblidhet për të shkarkuar kryetarin e një shoqate tjetër. Tentativa e dështuar për të uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë vjen pasi Edi Rama ka uzurpuar çdo institucion tjetër në vend. Kjo është një përpjekje tërësisht anti-demokratike dhe autoritariste nga një kryeministër që nuk i intereson demokracia, funksionimi i institucioneve dhe liria e tyre. Synimi i Ramës është zhbërja e lirive të qytetarëve dhe pasurimi i tij personal”.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë rezitencë ndaj regjimit të Ramës, pasi zëri i tyre dhe i opozitës janë e vetmja shpresë për ndryshim.
“Edi Rama sot mund të ketë çdo pushtet, por ai kurrë nuk do të mundë të ketë pushtet mbi opozitën. Zëri ynë do të vazhdojë të jetë akoma më i fortë kundër regjimit të dalë nga vjedhja e zgjedhjeve në aleancë të hapur mes qeverisë, krimit të organizuar dhe oligarkëve.
Është koha që çdo qytetar t’i bëjë rezistencë këtij regjimi të rrezikshëm, duke mos lëshuar asgjë nga të drejtat e tij. Zëri i qytetarëve dhe zëri i opozitës janë shpresa e vetme reale për ndryshim dhe për t’i dhënë fund uzurpimit të të gjitha pushteteve nga autokrati Edi Rama”. (A2 Televizion)