“Arapët e Polenës”, traditë 300-vjeçare por institucionet nuk e mbështesin

Nga Artin Halili
6 Janar 2026, 10:34 | Aktualitet

“Arapët e Polenës”, traditë 300-vjeçare por

Çdo 6 janar, fshati Polenë në Korçë rikthen një nga traditat më të vjetra pagane të zonës, karnavalet e njohura si “Arapët e Polenës”. Një festë me rrënjë mbi 300-vjeçare, e cila, ndonëse vazhdon të mbahet gjallë nga banorët dhe të rinjtë e fshatit, mbetet e pambështetur nga institucionet vendore.

Banorët, të veshur me kostume të përgatitura nga lëkura kafshësh dhe me maska frikshme, interpretojnë rituale simbolike që sipas fabulave popullore lidhen me largimin e së keqes dhe hyrjen e vitit të ri. Tradita, e ngjashme me rituale të tjera ballkanike, u ndalua gjatë periudhës së komunizmit, por u ringjall në janar të vitit 1991 dhe prej atëherë organizohet çdo vit. Megjithatë, pavarësisht rëndësisë kulturore dhe historike, organizatorët thonë se ka mungesë totale të mbështetjes nga Bashkia e Korçës.

Gjergji Minka, organizatori i karnavaleve, shprehet se kjo traditë është trashëguar brez pas brezi dhe dokumentohet edhe përmes fotografive që datojnë deri në vitin 1986, por sot mbahet gjallë vetëm falë përpjekjeve vullnetare të banorëve.

“Këto karnavale kështu i kemi gjetur të trashëguara. Pleqtë tregojnë se kështu janë bërë gjithmonë. Sivjet është viti i 36-të që organizohen pas ’91-shit dhe nuk kemi asnjë mbështetje nga bashkia. Dalin bëjnë propagandë, por ndihmë konkrete nuk ka. Çdo gjë e bëjmë me forcat tona,” thotë Minka.

Rituali i “Arapëve të Polenës”, ku pjesëmarrësit dalin në rrugë me veshje frikshme dhe kryejnë veprime simbolike ndaj kalimtarëve, sot rrezikon të mbetet një traditë e izoluar lokale, pa vëmendjen dhe mbrojtjen që meriton nga institucionet shtetërore, pavarësisht potencialit të saj kulturor dhe turistik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos