Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati në një deklaratë për mediat nga Tirana, ka zbuluar detaje nga tubimi që do të zhvillohet të premten në kryeqytetin e Shqipërisë, për të kërkuar drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare, që po gjykohen në Hagë.
Gucati tha se protesta do të zhvillohet në Tiranë pasi këtu është gjeneza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe dëshmorë të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës.
“Organizimi jonë është duke vazhduar që tre muaj. Ne kemi organizuar një protestë në Prishtinë dhe një tjetër në Hagë. Protesta gjithëkombëtare në Tiranë ka një arsye shumë të madhe pse e kemi këtu. Ne jemi një komb, një gjuhë një kulturë dhe kemi një flamurë. Gjeneza jonë, e UÇK është në Tiranë në vitet e 90-ta dhe kjo është arsyeja pse kemi dashur të ftojmë protestë gjithëkombëtare në Shqipëri. Për arsye se Adem Jashari, shokët e tij dhe të gjithë ata dëshmorë nga celulat e para të UÇK që ishin në shtetin tonë, sepse unë Shqipërinë e konsideroj shtetin tim, jo shtetin amë. Gjetën strehën këtu, punuan, vepruan për ta çliruar Kosovën nga hordhitë çetnike, serbe. Protesta ka karakter gjithëkombëtar, ne konsiderojmë drejtësi, jo politikë. Ajo gjykatë është politike, është e njëanshme, selektive, e cila ndjek dhe përndjek vetëm ushtarët e UÇK. Ajo gjykatë ka devijuar nga rruga e drejtësisë”, tha Gucati. (A2 Televizion)