Prej gati një jave, minatorët e minierës së bakrit në Spaç kanë bojkotuar punën, duke kërkuar kushte më të mira dhe respektim të të drejtave të tyre.
Në një intervistë për emisionin Puls të Bruna Çifligut në A2 CNN, kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla, tha se situata në minierë është alarmante dhe se punëtorët ndodhen nën presion të vazhdueshëm.
“Konfederata prej korrikut ka qenë e informuar për situatën. Punëtorët janë të pakënaqur dhe ka një lloj përdhunimi nga punëdhënësi, për paga dhe dinjitetin e tyre. Ne kemi tentuar të negociojmë, por ka qenë e pamundur, sepse ai njeh vetëm manipulimin dhe shantazhin. Këto janë standarde të kaluara që nuk duhet të ekzistojnë më”, deklaroi Nikolla.
Nga ana tjetër, minatori Albert Bushpreni tregoi vështirësitë që përballin punëtorët, të cilët deri tani kanë qenë pa mbrojtje sindikale.
“Ne punojmë pa qenë të organizuar në një sindikatë, vetëm me kontrata individuale. Punëdhënësi mund të na hedhë në rrugë kur të dojë. U organizuam në një sindikatë që të kemi bazë ligjore, sepse me këto kontrata ai luan me fatin e punonjësve. Mua më shkarkoi në mes të turnit, me pretekste boshe dhe në shkelje të ligjit”, tha Bushpreni. (A2 Televizion)