
Gjykata e Strasburgut ka pranuar të marrë në shqyrtim çështjen e studentëve të Mjekësisë, të cilët kërkuan shfuqizimin e ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri pas studimeve.
Kujtojmë se në qershor të vitit 2024, pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, 36 studentë të mjekësisë dërguan një ankimim, i cili sot është pranuar zyrtarisht, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se pas debateve të shumta publike, në shkurt të vitit 2024, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë la në fuqi ligjin, por me një ulje të viteve të punësimit me detyrim.

Kërkesa ka të bëjë me detyrimin, të futur nga Ligji 60/2023, të studentëve të mjekësisë të TMU-së, që ose të nënshkruajnë një marrëveshje që i angazhon ata të punojnë si mjekë në Shqipëri për 5, 3 dhe 2 vite pas përfundimit të studimeve të tyre, ose përndryshe të paguajnë ‘koston e plotë të studimeve të tyre’ – një shumë më e konsiderueshme se tarifat e zakonshme të shkollimit.
Ligji parashikon gjithashtu që diplomat e studentëve të mjekësisë duhet të mbahen (nga punëdhënësi i tyre) deri në përfundimin e afatit të punësimit në vend. (A2 Televizion)
