
Një fenomen shqetësues vijon të përfshijë të rinj shqiptarë në Angli, ku adoleshentë dhe fëmijë të moshës 15-16 vjeç, rekrutohen për të punuar shtëpi bari. Në Dita Jonë në A2 CNN avokati Naim Hasani tha se numri më i madh i këtyre fëmijëve vjen nga zona verilindore.
“Ka nga të gjithë qytetet e Shqipërisë, por në përgjithësi zona verilindore ka qenë gjithmonë mjaft shqetësuese dhe numri i madh më i madh i atyre që vijnë në mënyrë ilegale në Britani fatkeqësisht në përgjithësi dhe historikisht i përket zonës verilindore të Shqipërisë. pra si Kukësi, Hasi, Tropoja, Dibra, por edhe nga Shkodra, po sidomos nga zona verilindore e Shqipërisë, Kukës, Has, Tropojë, Shkodër e me radhë”, tha avokati në A2 CNN.
Sipas avokatit mosha më e vogël e fëmijëve që punojnë në shtëpi bari është 15-16 vjeç, ndërsa thekson se një rol të rëndësishëm në rekrutim ka pasur rrjeti social TikTok, i përdorur si mjet “marketingu” nga grupet kriminale, veçanërisht gjatë vitit 2022, kur mijëra shqiptarë hynë ilegalisht në Britani me gomone nga Franca.
“Mosha më e vogël e cila ju keni hasur dhe keni parë që ka punuar në një shtëpi bari. Po pa dyshim ka 15 vjeç, 16 vjeç domethënë në përgjithësi mosha adoleshente, po ka edhe ata që të rritur që janë 18 vjeç e sipër të rritur të rinj të cilët kanë ardhur dhe përballen me një realitet totalisht nga ai që është premtuar ose që e kanë parë nëpër reklama në TikTok në Shqipëri dhe nga i cili janë gënjyer se mund të përfitojnë ose mund të kenë një të ardhme si ajo që është e premtuar, por realiteti është shumë larg”.
Avokati shpjegon se fëmijët që largohen nga shërbimet sociale në Britani përfundojnë ose te të afërmit, ose vazhdojnë rrugën për të cilën janë rekrutuar.
“Nëse një i mitur arrestohet në një shtëpi bari, dënimi zakonisht nuk është burg, por masa riedukimi dhe mbikëqyrjeje. Megjithatë, realiteti me të cilin përballen këta të rinj është shumë larg asaj që u është premtuar”.
(A2 Televizion)