Liria ka një emër, veteranët e UÇK-së thirrje shqiptarëve: Bashkohuni në Tiranë

Nga A2 CNN
15 Tetor 2025, 19:55 | Aktualitet

“Liria ka një emër” zbret në Tiranë të premten pasdite, në sheshin “Skënderbej”. Kryetari i organizatës së Veterantëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në një deklaratë për mediat dy ditë përpara protestës së thirrur, u bëri thirrje shqiptarëve nga të gjitha trojet të bashkohen në këtë tubim për të kërkuar drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare, që po gjykohen në Hagë.

Gucati tha se protesta do të zhvillohet në Tiranë, pasi këtu është gjeneza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe dëshmorë të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës, shkruan A2.

“Organizimi jonë është duke vazhduar që tre muaj. Ne kemi organizuar një protestë në Prishtinë dhe një tjetër në Hagë. Protesta gjithëkombëtare në Tiranë ka një arsye shumë të madhe pse e kemi këtu. Ne jemi një komb, një gjuhë një kulturë dhe kemi një flamur. Gjeneza jonë, e UÇK është në Tiranë në vitet e 90-ta dhe kjo është arsyeja pse kemi dashur të ftojmë protestë gjithëkombëtare në Shqipëri. Protesta ka karakter gjithëkombëtar, ne konsiderojmë drejtësi, jo politikë”,

Protesta e thirrur më 17 tetor në orën 17:00 është një thirrje për një gjykim të drejtë në Hagë të krerëve të UÇK-së. Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator.

Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos