“Mos blini drita të lira, shkaktojnë zjarr dhe u marrin jetën fëmijëve", paralajmërimi i inxhinierit elektrik

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 10:09 | Aktualitet

Inxhinieri elektrik Azmer Duleviç ka ngritur alarmin për rrezikun serioz që paraqesin ndriçuesit e lirë dekorativë, veçanërisht gjatë periudhës së fundvitit, duke theksuar se përdorimi i tyre i pakujdesshëm mund të çojë në zjarr apo humbje jete, sidomos te fëmijët.

I ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, Duleviç u shpreh se qytetarët duhet të shmangin blerjen e dritave shumë të lira, të cilat sipas tij janë prodhuar me materiale të dobëta dhe pa standarde sigurie. “Nuk mund të blesh drita shumë të lira dhe të presësh cilësi. Këto ndriçues këputen lehtë, nuk kanë izolim të duhur dhe kanë shkaktuar edhe zjarre në vendin tonë”, tha ai.

Sipas inxhinierit, rreziku rritet ndjeshëm në familjet me fëmijë të vegjël. Ai apeloi që të mos përdoren drita dekorative që funksionojnë me tension 230 volt dhe lidhen direkt në prizë. “Fëmijët luajnë me to, i tërheqin, i këpusin dhe nëse impianti elektrik nuk është në rregull, kontakti me rrymën mund të jetë fatal”, paralajmëroi Duleviç, duke rekomanduar përdorimin e dritave me bateri 1,5 volt si alternativë më e sigurt.

Një tjetër problem serioz, sipas tij, është mënyra e lidhjes së ndriçuesve në banesa, ku shpesh përdoren disa zgjatues dhe priza treshe të lidhura njëra mbi tjetrën, duke rritur ndjeshëm rrezikun e mbingarkesës dhe zjarrit.

Duleviç ngriti shqetësim edhe për zbukurimet elektrike në hapësirat publike, të cilat shpesh instalohen në mënyrë artizanale nga shtyllat e ndriçimit rrugor, pa izolim dhe pa mbrojtje teknike. “Kemi pasur raste tragjike, ku fëmijë kanë humbur jetën duke prekur këto ndriçues. Dritat bëhen kudo në Europë, por sipas rregullave dhe certifikohen. Tek ne mjafton të ndizen dhe askush nuk mban përgjegjësi”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos