Prej rreth dy javësh naftëtarët e Marinzës, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur janë futur në grevë urie dhe kërkesat e tyre kryesore janë për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.
Në një prononcim për “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, 10 naftëtarët në grevë urie thanë se pagat e tyre janë rritur vetëm 8 mijë lekë në 8 vite, çka është qesharake në raport me rrogat që marrin punonjësit kinez të Bankers Petroleum.
“Unë jam inxhinier nafte. Kam 18 vite në këtë kompani. Ndërkohë që vijnë këtu njerëz të tjerë marrin paga marramendëse dhe punën e bëjmë neve”, tha një naftëtar për “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
“Ne nuk po kërkojmë të barazojmë pagat tona me ato të drejtuesve tanë. Por kërkojmë të marrim diçka më shumë që të jemi të motivuar. Kemi marrë përsipër të punojmë në industri nafte, shumë e vështirë, por deri tani kemi qenë të shfrytëzuar. Ne dinjitetin tonë e kemi fituar”, u shpreh një tjetër grevist.
“Do shkojmë deri para Kryeministrisë, me familje dhe fëmijët tanë. Ata menaxheret e kompanisë që kanë ardhur në këtë vend këtu po intimidojnë, po bëjnë presion që ne të dalim nga këtu. Kjo është kauza jonë, është e drejta jonë, një e drejtë që na është mohuar. Unë kam 21 vite në këtë kompani. Kemi 8 vjet pa asnjë lloj rritje pagash”, u shpreh një prej tyre në “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
“Rritje pagash këtu edhe kur është bërë është me seleksionim. Nuk është bërë sipas meritave, Është bërë sipas njerëzve dhe lidhjeve që kanë pasur shefat. Pra të paktën rritjen sipas qeverisë, për inflacionin. Dhe ne nuk do ishim këtu. Për 8 vjet kanë bërë një rritje prej 8 mijë lekë. Kjo ka qenë për të gjithë si ata që marrin 700 mijë euro, si ata me 5 mijë euro dhe ata me 500 euro. Paga më e ulët është 540 euro. Variojnë deri në 900 euro, të çunave të bazës. Kur janë bërë rritjet e pagave nuk janë bërë me meritokraci dhe drejtësi”, deklaroi një tjetër naftëtar për “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN.
Protestat e punonjësve të Bankers nisën fillimisht në fillim të shtatorit, por u ndërprenë pasi u mendua për një zgjidhje konsensuale midis palëve. Por mos arritja e një marrëveshje duket se i çoi naftëtarët drejt përshkallëzimit të rezistencës ndaj kërkesave të tyre dhe hyrjen në grevë urie, më 15 tetor. (A2 Televizion)
