“Shqipëria dhe Mali i Zi më pranë BE-së”, Kovaçeviç: Opozita e mazhoranca të bashkëpunojnë për integrimin

Nga A2 CNN
24 Tetor 2025, 13:50 | Aktualitet

“Shqipëria dhe Mali i Zi më pranë BE-së”,

Kreu i Komisionit Parlamentar të BE-së për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, Andrei Kovaçeviç, nga Pusteci ka deklaruar se procesi i integrimit europian është një prioritet i përbashkët si për unionin ashtu edhe për vendet e rajonit.

“Procesi i integrimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të dyja palët. Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Kovaçeviç.

Ai theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të negociatave me Bashkimin Europian, duke shprehur besimin se në vitet e ardhshme disa vende të Ballkanit do të mund të bëhen anëtare me të drejta të plota.

“Shpresa jonë është që t’u themi mirëseardhjen si anëtare të plotë disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, tha ai.

Kovaçeviç nënvizoi nevojën për të kapërcyer ndasitë historike dhe për të ndërtuar marrëdhënie të forta fqinjësore, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve ekonomike, tregtare dhe njerëzore mes vendeve të rajonit. “Ballkani duhet të investojë në lidhje infrastrukturore dhe ekonomike. Kufijtë duhet të jenë simbolikë, ashtu si në zonën Shengen”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo është plotësisht e realizueshme.

Sipas tij, Shqipëria ka potencial të lartë për të përfunduar me sukses procesin e integrimit, por kërkoi që opozita dhe mazhoranca të punojnë së bashku në këtë drejtim.

“Kjo është plotësisht e realizueshme. Kjo varet nga vetë ju dhe unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim”, theksoi Kovaçeviç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos