Viti 2026 trokiti në Shqipëri! Në Tiranë të shumtë ishin qytetarët të cilët sfiduan temperaturat e ulëta, dhe pritën ndërrimin e viteve në sheshin Skënderbej. 2026 mbërriti në spektaklin e fishekzjarrëve. Qielli u ndriçua në të gjithë kryeqytetin nga ngjyrat e tyre.
Shqipëria ka mirëpritur Vitin e Ri 2026 mes atmosferës festive në të gjithë vendin. Në Tiranë, qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’ për të ndjekur koncertin dhe spektaklin e fishekzjarrëve, të cilat shënuan ndërrimin e viteve.
Zemra e kryeqytetit u mbush me familjarë, të rinj dhe vizitorë, të cilët pritën ndërrimin e viteve mes muzikës, dritave dhe një atmosfere festive që zgjati deri pas mesnate.
Skena e vendosur në shesh ofroi një koncert me artistë të njohur të muzikës shqiptare, të cilët sollën hite të njohura dhe këngë festive. Në momentin e ndërrimit të viteve, qielli mbi Tiranë u ndriçua nga fishekzjarrë shumëngjyrëshe, të cilat krijuan një pamje mbresëlënëse. Policia e Shtetit kishte ndërmarrë masa të shtuara sigurie për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve festive. Festime për Vitin e Ri pati edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku qytetarët mbushën sheshet kryesore. Festime u zhvilluan në Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Korçë, ku qytetarët festuan me muzikë, drita dhe urime për një vit të mbarë.
A2 CNN uron të gjithë shqiptarët, gëzuar Vitin e Ri 2026 dhe qoftë ky një vit sa më i mbarë, plot shëndet dhe gëzime. (A2 Televizion)