Zjarri në Dukat, flakët kërcënojnë Llogoranë, Vengu paralajmëron masa të reja për piromanët

Nga Edi Ruçi
20 Korrik 2025, 11:55 | Aktualitet

Zjarri në Dukat, flakët kërcënojnë Llogoranë,

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka folur nga Vlora për situatën e zjarrit në malin e  e Shën Gjergjit në Dukat, duke garantuar se të gjitha forcat janë në terren për të shuar flakët, që po rrezikojnë më tepër fshatin, por mbetet një kërcënim edhe për parkun kombëtar të Llogorasë.

Vengu thotë se që prej mëngjesit aty ka nisur punën për shuarjen e flakëve edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura teksa në terren janë 30 forca zjarrfikëse, por edhe 30 efektivë të ushtrisë krahas shtabit të Emergjencave Civile.

“Që në orët e para të mëngjesit kemi një ndërhyrje nga ajri, pikërisht për të parandaluar mundësinë e kalimit të vatrës së zjarrit prej disa kilometrash në Parkun e Llogorasë. Aktualisht jemi në kushtet kur përpjekja po fokusohet në lartësitë e Dukatit. Helikopteri vijon të jetë në mision, si dhe tre helikopterë të tjerë në vatra të tjera. Do jenë ditë të vështira ndaj kemi rritur nivelin e alertit të Emergjencave Civile”, tha Vengu.

Sipas ministrit Vengu dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrëvënie të qëllimshme. Pirro Vengu thotë se situata e zjarrvënieve të qëllimshme është kthyer problem në të gjithë vendin, ndaj paralajmëron se do të merren masa që të mund të vëzhgojnë territoret nga ajri për të evidentuar piromanët të cilët shkaktojnë të tilla situata.

“Na rezulton që në pjesën më të madhe të zjarreve që janë konstatuar, ku kemi pasur edhe veprime hetimore, ka një pjesë të mirë që janë për efekt të zjarrëvënies dhe një pjesë tjetër për efekt të pakujdesisë. Ndaj duhet vigjilencë e shtuar, ndaj ne do të investojmë edhe në mekanizma të identifikimit elektronik, nga lartësitë e pikave ku ka rrezik të shtuar, në mënyrë që të jemi sa më afër vatrave aty ku ato identifikohen”, u shpreh Vengu.

Në fund të fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes pati edhe një mesazh për qytetarët, duke kërkuar që të tregohen të kujdesshëm pasi një pakujdesi e tyre rrezikon jetë njerëzish, biznese edhe banesa.

“Zbatoni të gjitha udhëzimet e Agjencisë së Emergjencave Civile. Duhet kujdes i shtuar në zona të caktuar, qoftë ata persona që kanë aktivitet bujqësor, blegtoral që përfshihen në situata që mund të ishin parandaluar”, ishte mesazhi i ministrit Vengu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos