Harta e re, probleme të vjetra, KLGJ kërkon më shumë para nga qeveria, punonjësit nuk mjaftojnë

Nga Marjo Brakaj
5 Maj 2025, 19:09 | Ekonomi

Dy vite nga nisja e zbatimit të hartës së re që “shkriu” 9 gjykata e po aq prokurori, me argumentin se do të sillte “drejtësi efikase dhe në kohë për qytetarët”... pak nga kjo fabul në letër është zbatuar në terren.

“Ngelet emergjente përmirësimi i infrastrukturës ndërtimore nëpërmjet ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Fier, Lezhë dhe Durrës, të cilat do të siguronin standarde bashkëkohore në përmbushjen e detyrave kushtetuese.”

Gishti treguesi fajit për këtë situatë drejtohet te qeveria që nuk ka dhënë para mjaftueshëm. Problemin e nxjerr në pak edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor në një shkresë drejtuar Ministrisë së Financave, shkruan A2 CNN.

“Nevojat e evidentuara nga KLGJ-ja, e për rrjedhojë të paraqitura prej saj si kërkesa buxhetore për vitin pasardhës, pasqyruar në dokumentin e projektbuxhetit afatmesëm PBA-së 2025 – 2027, kanë qenë rreth 41% më të larta se buxheti i miratuar dhe akorduar, ose në vlerë absolute 2,520,569 mijë lekë, si për shpenzimet korrente edhe për shpenzimet kapitale”.

Për shkak të buxhetit të cunguar, problemet me zbatimin e hartë së re gjyqësore nuk shtrihen vetëm në drejtim të infrastrukturës.

“KLGJ-ja pasi ka realizuar objektivat në drejtim të rritjes së numrit të punonjësve në sistemin gjyqësor si dhe rritjen e fondeve në shpenzime korrente në funksion të ofrimit më të mirë të shërbimeve për publikun, është fokusuar në rritjen e nivelit të investimeve në sistem, kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës ndërtimore të gjykatave dhe infrastrukturën e sistemeve të teknologjisë së informacionit.”

Një tjetër problematikë që qeveria e gjyqësorit nënvizon edhe në raporti për vitin 2024 është se pavarësisht se është kërkuar buxhet për 272 punonjës shtesë, fondi është miratuar për vetëm 133 të tillë. Kjo në një kohë që të gjitha gjykatat janë mbuluar nga stoku i dosjeve që presin të gjykohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos