Zgjedhjet dhe turizmi po theksojnë tatëpjetën e euros. Vlera e valutës europiane përballë lekut ka rënë në nivelin më të ulët në 17 vite.
Një euro po këmbehet sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë për më pak se 98 lekë. Në krahasim me prillin, valuta europiane ka humbur 1.26 pikë.
“Presionin më të madh nëse mund ta themi kështu...po e bën turizmi me shtimin e eurove. Faktori tjetër lidhet me euron informale që qarkullon me përmasa të mëdha në Shqipëri veçanërisht kur ka zgjedhje”, tha eskperti për ekonominë, Adrian Civici.
Duke u kthyer pas në kohë, në maj të vitit 2015, një euro këmbehej mesatarisht për 140.61 lekë duke u zhvlerësuar në 138.52 lekë në2016-n. Valuta europiane ruajti një ekuilibër të qëndrueshëm deri në vitin2022, për t’iu nënshtruar më pas “superlekut”.
“Shkaku kryesor është masiviteti i euros në treg. As politika e de-eurizimit nuk ka dhënë efekte në këtë drejtim pasi sasia e euros në treg është shumë e lartë”, shtoi Civici.
Blerjet e detyruara, mbi vlerat e planifikuara, bashkë me eurobondin kanë zgjeruar rezervën valutore të Shqipërisë në nivelin më të lartë ndonjëherë. Në fund të marsit, ajo arriti në gati 7 miliardë euro nga më pak se 6.3 miliardë në shkurt.
Në krahasim me marsin e një viti më parë, rezerva valutore është zgjeruar me 1.3 miliardë euro apo me 23 për qind.
“Edhe rritja e rezervës valutore e ka një limit. Ne mund të themi se e kemi cekur atë. Ndaj në këto kushte mundtë pritet një zhvlerësim më tej i euros.”
Agjentë të tregut valutor parashikojë se euro do të vijojë të zhvlerësohet edhe në vijim si pasojë e zgjedhjeve dhe afrimit të sezonit masiv turistik veror.
Për shkak të metodologjisë në kursin e këmbimit, të njëjtën ecuri do të kenë edhe valutat e tjera kryesore në vend si dollari apo paundi. (A2 Televizion)