Prostitucion në Durrës, arrestohen dy kineze

Nga A2 CNN
12 Tetor 2025, 11:17 | Kronikë

Prostitucion në Durrës, arrestohen dy kineze

Policia e Durrësit ka zbuluar një apartament në Durrës ku ushtrohej prostitucion dhe ka arrestuar dy shtetase kineze.

Pas një hetimi trejavor u finalizua operacioni policor i koduar “STORM 8” dhe si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Venecia”, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucion”, tre shtetas nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, që u gjetën në apartamentin e marrë me qira nga dy shtetaset kineze, shkruan A2.

Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetases kineze J. L., 53 vjeçe, për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.

Policia njofton se këto shtetase kishin marrë me qira një apartament në zonën e Shkëmbit të Kavajës për qëndrim, ndërsa në rrugën “Venecia”, në Iliria, Plazh, kishin marrë me qira një tjetër apartament, të cilin e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.

Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se shtetaset e huaja janë arrestuar edhe më parë nga shërbimet e DVP Durrës, për të njëjtat vepra penale, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, në rrugën “Lule Bore”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos