Në kërkim nga SPAK për trafik droge, ekstradohet nga Spanja “krahu i djathtë” i Elvis Doçit

Nga Igli Çelmeta
11 Tetor 2025, 12:47 | Kronikë

34-vjeçari Juxhin Drazhi është ekstraduar nga Spanja drejt Shqipërisë, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafik droge në kuadër të operacionit të koduar “Ura”. Në prill, GJKKO me kërkesë të SPAK caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për trafikim të lëndëve narkotike në Norvegji dhe Belgjikë, si dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Drazhi, pjesë e grupit të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, u arrestua më 8 gusht nga autoritetet spanjolle në një shtëpi luksoze në qytetin e Granadës. Sipas hetimeve nga policia shqiptare dhe spanjolle Drazhi rezulton të ketë qenë personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn, i cili u zhduk në maj dhe u gjet i vdekur në fillim të shtatorit në Marbella të Spanjës, shkruan A2 CNN.

Më herët, SPAK i kishte sekuestruar Drazhit firmën “Majestic Construction” dhe nëntë prona të tjera në kuadër të këtij operacioni. Operacioni “Ura”, i finalizuar në maj, kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar me aktivitet në trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos