Fier, zbulohet një bazë kriminale. Sekuestrohet arsenal armësh

Nga A2 CNN
12 Tetor 2025, 10:22 | Kronikë

Fier, zbulohet një bazë kriminale. Sekuestrohet arsenal armësh

Policia e Fierit ka njoftuar zbulimin e një baze kriminale, ku mbahej arsenal armësh, pjesë armësh dhe municioni, me qëllim shitjen te kontigjenti kriminal për kryerjen e krimeve kundër personit.

Sekuestrohen 13 armë zjarri (3 prej tyre të modifikuara për shënjestër optike dhe për silenciator), 2 silenciatorë, dhjetëra karikatorë dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak, shkruan A2.

Policia është informuar nga gazetarë të një emisioni investigativ se një shtetas me të cilin ata kishin komunikuar në kuadër të punës së tyre posedonte pa leje një armë zjarri.

“U lokalizua shtetasi i dyshuar, konkretisht Milasin Ramaj, 38 vjeç, banues në Fier, i cili u ndalua teksa lëvizte me automjet, në lagjen “Kastriot”. Nga kontrolli në automjet, iu gjet dhe iu sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë që posedohej pa leje dhe një shumë parash rreth 3 mijë e 500 euro. Në vijim, shërbimet e Policisë kanë kryer hetime të thelluara mbi veprimtarinë kriminale të 38-vjeçarit, dhe si rezultat kanë mundësuar zbulimin e një banese (aktualisht të pabanuar), në lagjen “Kastriot”, të cilën ky shtetas e përdorte si bazë armësh, pjesësh armësh dhe municioni, dyshohet për t’ua shitur grupeve kriminale”, lexohet në njoftimin e policisë, shkruan A2.

Nga kontrolli në këtë ambient, janë gjetur dhe sekuestruar:

-10 armë zjarri automatikë, 3 nga të cilët, të modifikuar me shënjestër optike dhe me vend filetimi për silenciator;

-1 armë zjarri pistoletë;

-1 armë zjarri pistoletë automatike;

-2 silenciatorë;

-9 karikatorë automatiku;

-3 karikator pushke;

-2 krehra pistolete;

-sasi fishekësh të kalibrave të ndryshëm.

Policia arrestoi 38-vjeçarin dhe ndërkohë vijon të kryejë hetime, në koordinim me Prokurorinë e Fierit, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara drejtësisë, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos