Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, dy prokurorët e SPAK “përplasen” për pretencën e kopshtarit

Nga Xhensila Kodra
11 Korrik 2025, 15:15 | Kronikë

Rigjykimi në Apel i Festim Bexhdilit, ish-kopshtarit të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ka përçarë Strukturën e Posaçme, SPAK.

Në seancën e së premtes, SPAK ka lexuar pretencën, duke dalë me dy kërkesa të ndryshme mbi dënimin e Bexhdilit.

Prokurori Behar Dibra i ka kërkuar gjykatës dënimin me 20 vite burg për të pandehurin, ndërsa prokurorja tjetër, Elida Kaçkini, ka kërkuar lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm, të dhënë nga Shkalla e Parë ndaj tij.

Sipas prokurorit Dibra, mbajtja peng e Prengës ka ardhur si pasojë e pazareve të drogës në Angli. Fakti që Bexhdili gjendet në atë orë në kompleks lidhet me faktin që punonte aty. Bexhdilit i është kërkuar nga Altin Hajri të kryejë veprimet që ai ka bërë, shkruan A2 CNN.

“Nuk mund të bëhet përgjegjës Bexhdili,” tha prokurori, “për vrasjen e Jan Prengës, por duhet të jetë përgjegjës për veprimet ndihmuese.”

Sipas tij, Bexhdili nuk ka qenë pjesë e grupit kriminal. Përkundër këtij qëndrimi, kolegia e tij Kaçkini arsyetoi se, referuar provave të paraqitura, ka rezultuar se vepra penale është kryer në bashkëpunim.

“Rezulton se rrëmbimi ka qenë i paramenduar, pasi viktima është ndjekur disa ditë më parë. Bexhdili ka pasur vendndodhje të ndryshme ditën e ngjarjes, ka ndjekur një itinerar dhe, referuar pamjeve filmike, tregohet dijenia dhe marrëveshja e Altin Hajrit dhe Bexhdilit për ngjarjen,” tha Kaçkini.

Sipas saj, i pandehuri ka vepruar me ndërgjegje dhe dijeni të plotë dhe është vënë në dispozicion të grupit kriminal për 10 orë.

Festim Bexhdili u rigjykua në Apel, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Lartë, e cila prishi dënimin e përjetshëm ndaj tij dhe ktheu dosjen në Shkallën e Dytë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos