500 mijë euro drogë me “dragua”, si e ktheu shtëpinë në laborator?

Nga Xhensila Kodra
19 Gusht 2025, 14:14 | Kronikë

Askush nuk do ta mendonte se në katin e fundit të pallatit Shkëlqim Krrashi do të vendoste që të ndërtonte një laborator droge.

61 vjeç, pa asnjë precedent penal kishte vendosur të përpunonte jo vetëm kanabis, por edhe kokainë në një banesë në Yzberisht të Tiranës.

6 muaj më parë agjentët e policisë morën informacion se Krrashi shiste kokainë në këtë zonë, në doza të vogla. Por pasi u mbajt nën vëzhgim për muaj të terë, u zbulua baza e përpunimit të lëndës narkotike.
Gjatë kontrollit në banesë, agjentët e Antidrogës gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë kanabis në formën e çokollatës dhe me stemën e dragoit dhe 22.5 litra vaj kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro. Gjithashtu u sekuestrua një sasi kokaine, 1 pistoletë dhe 1 armë gjahu, shkruan A2 CNN.

61-vjeçari nga Bulqiza rezultoi se kanabisin dhe vajin e tij e sillte nga Maqedonia e Veriut. Hetimet e Antidrogës së Tiranës zbuluan se 61-vjeçari Krrashi, lëndën narkotike të llojit kokainë, e sillte kryesisht në zonën e Yzberishtit në doza të vogla. Ndërsa kanabisin dhe vajin e shiste me shumicë.

Por në kaq muaj hetim në pranga ka rënë vetëm 61-vjeçari. Ai nuk ka deklaruar persona të tjerë me të cilët mund të ketë bashkëpunuar. Por policia është ende duke vijuar hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos