Policia nisi procedimin në gjendje të lirë për dentistin që i dha mjekim dje shtetasit 59-vjeçar në Devoll, i cili ndërroi jetë pak momente më pas.
Burime nga Policia bëjnë me dije se dentisti po hetohet për veprën penale “neglizhenca në trajtimin mjekësor”, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se 59-vjeçari kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë dhe dy të afërm. Pas mjekimit dentar, ku iu bë një mbushje, ai është ankuar disa herë, për gjendjen shëndetësore duke thënë: “S’jam mirë”.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt, përcjell A2 CNN.
Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha procedurat e trajtimit që i janë kryer në klinikë.
Deri më tani, nuk është konstatuar ndonjë element që lidhet me ndonjë problem nga ana e dentistit, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i saktë i vdekjes.
Njoftimi i Policisë:
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasin Sh. D., 59 vjeç, që humbi jetën, rreth 1 orë pasi mori mjekim në një klinikë dentare, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kryen veprimet procedurale dhe materialet i referuan në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, për shtetasin B. L., 36 vjeç, dentisti që i ka dhënë mjekim shtetasit Sh. D. (A2 Televizion)