Dosja Meta-Kryemadhi kalon në gjykim, reagimet: “Vendimi u dha nën presion”

Nga Armand Bajrami
18 Mars 2026, 17:22 | Kronikë

Dosja Meta-Kryemadhi kalon në gjykim, reagimet: “Vendimi u dha

Dikur partnerë në familje dhe politikë, por sot të ndarë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të jenë serish bashkë në betejën me SPAK në Gjykatën e Posaçme. Këtë të mërkurë, kjo gjykatë pranoi kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të dosjes së ish-presidentit të Republikës, ish-deputetes dhe tre të pandehurve të tjerë, Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi. Meta dhe Kryemadhi do të përballen me akuzën për 3 vepra penale: atë të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.

Mbrojtësi ligjor i Metës shprehu habi se si gjykata, ndonëse konstatoi mangësi në hetim, të evidentuara prej tij dhe klientit, e kaloi dosjen në gjykim. “Duke na thënë që këto çështje mund të zgjidhen vetëm në themel. Që do të thotë, gjykata e themelit duhet të bëjë edhe prokurorin, edhe gjyqtarin. Unë nuk e kuptoj dot këtë vendim të gjykatës”, tha Cakrani.

Për të pandehurën Kryemadhi, vendimi ishte i pritshëm dhe sipas saj, në gjyqin e saj publiku do të shohë Big-Brother-in e drejtësisë. “Pra ata injorantët dhe atë mjerimin qytetar që patë në quiz-in e anëtarëve të Big Brother-it do ta shikojmë mjerimin qytetar dhe ligjor të sistemit të drejtësisë që SHBA dhe BE kanë harxuar mbi 140 milionë euro për të sjellë një inkuizicion politik. Sepse gjyqtarja pranoi që në dosje, 90% e akuzës së prokurorëve nuk ka asnjë provë”, tha ajo.

Për Kryemadhin, vendimi ishte dhënë nën presion. “Shumë pjesë të Gjykatës së Posaçme dhe të Shërbimit Informativ apo institucioneve të tjera, “të pavarura”, janë pjesë e videotekës së Ergys Agasit. Dhe ky është litari në fyt që ka sistemi i drejtësisë”, shtoi ajo.

Përmes një reagimi në Facebook, ish-presidenti Meta, tha se “Ramaforma” ishte një drejtësi me regji. Ai e konsideroi si kohë të humbur muajt e shqyrtimit paraprak, ndonëse, sipas tij, u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës. Me tej ai shprehte padurim për nisjen e procesit ku ftonte gazetarët dhe trupin diplomatik në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos