
Nuk bëhet më fjalë për sherre të zakonshme mes nxënësve, por për konflikte serioze ku përfshihen edhe armë të ftohta. Përplasjet mes adoleshentëve të shkollave të mesme në Shkodër vijojnë të përsëriten, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë.
Një tjetër incident i tillë është regjistruar të premten, kur disa nxënës nga zona e Vau Dejës, pas përfundimit të mësimit, kishin lënë takim për të “sqaruar” konfliktet mes tyre. Ngjarja ka ndodhur pranë vendqëndrimit të furgonëve me të cilët ata udhëtojnë çdo ditë drejt shkollës dhe në kthim.
Pamjet video të siguruara tregojnë dy grupe adoleshentësh që fillimisht përplasen me grushte. Por situata përshkallëzohet kur njëri prej tyre shihet duke mbajtur në dorë një thikë. Ai e nxjerr armën e ftohtë, vendos kapuçin e xhaketës në kokë dhe tenton të sulmojë rivalët.
Fatmirësisht, nga ky konflikt nuk ka persona të plagosur apo të dëmtuar nga thika. Ndërhyrja e një zonje ka ndikuar që përplasja të marrë fund, duke shmangur pasoja më të rënda.
Policia është njoftuar dhe ka mbërritur në vendngjarje, por sipas burimeve ka munguar bashkëpunimi për dhënien e informacionit, si nga nxënësit e pranishëm ashtu edhe nga drejtuesit e fugonëve që kanë qenë dëshmitarë të konfliktit.
Për rastin është vënë në dijeni edhe drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, i cili mësohet se po e ndjek personalisht çështjen. Nga të dhënat paraprake rezulton se konflikti mes adoleshentëve kishte nisur disa ditë më parë, ndërsa një javë më parë ishte shënuar një tjetër përplasje pranë shkollës “Shejnaze Juka” në Shkodër, ku mbetën të plagosur dy adoleshentë.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se thika e mbajtur nga nxënësi ishte e përmasave të konsiderueshme, e ngjashme me armët e ftohta luftarake. Këtë herë, për fat, nuk pati viktima nga përdorimi i saj, ndërsa përplasja u kufizua kryesisht në grushte. (A2 Televizion)