Policia ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni i koduar “Operacionalja 54” u zhvillua në Tiranë dhe çoi në arrestimin e shtetasit Musli Aslani 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkup, Maqedonia e Veriut.
Ky person kërkohej nga drejtësia austriake për disa vepra të rënda penale, përfshirë trafikim droge, kërcënim të rrezikshëm, zhvatje dhe plagosje. Sipas ligjeve në Austri, për këto akuza parashikohet një dënim deri në 20 vite burg.
Gjatë kontrollit fizik pas arrestimit, policia i gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar si kanabis.
Aktualisht, Interpol Tirana po ndjek procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Austrisë, në bashkëpunim me autoritetet vendase. (A2 Televizion)