Ndërtim pa leje në Voskopojë, arrestohet 63-vjeçari. Procedohen punonjësit e IMT-së dhe policisë

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 15:38 | Kronikë

Ndërtim pa leje në Voskopojë, arrestohet 63-vjeçari.

Policia e Korçës ka arrestuar shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat. Ky shtetas dyshohet se kishte ndërtuar  pa leje  disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës, shkruan A2 CNN.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht shtetasit I. L., 54 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, me detyrë Kryeinspektor dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.

Në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre  ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektor A. B., me detyrë ndihmës/specialist i rendit (SPZ) dhe Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Nënkomisar P. B., me detyrë koordinator i ndihmës/specialistëve të rendit në zonë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos