“I siguronte informacion Altin Hajrit”, gjykim të shkurtuar për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 15:35 | Kronikë

Gjykata e Posaçme  pranoi kërkesën e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, për t'u gjykuar me gjykim të shkurtuar. ​Ky vendim u mor edhe për dy të pandehurit e tjerë në të njëjtën dosje, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, ky i fundit aktualisht në kërkim.

Me gjkyim të shkurtuar, nëse ish-deputeti dhe të tjerët shpallen fajtorë në fund të procesit, ata do të përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit të dhënë.

​​Çyrbja akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale të rënda, të dokumentuara përmes komunikimeve në platformën e koduar "SkyECC", mes tyre tregim i Sekretit Shtetëror:  Cyrbja dyshohet se ka nxjerrë informacione sekrete të Policisë së Shtetit dhe të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona të kërkuar, përfshirë Altin Hajrin, t'i shmangeshin kapjes.

Po ashtu Cyrbja, akuzohet se ka ofruar ndikim te organet ligjzbatuese në këmbim të sigurimit të votave nga Altin Hajri për zgjedhjet e vitit 2021.Ish-deputeti Jurgis Çyrbja ndodhet në masën e sigurisë "arrest me burg" që prej tetorit të vitit të kaluar, pasi dha dorëheqjen nga mandati i tij. Seanca e radhës, ku do të jepen konkluzionet e prokurorisë, është caktuar të mbahet më 20 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos