“Pse më sheh shtrembër dhe pse bën si i fortë?” Ky ka qenë shkaku i konfliktit mes 5 të miturve dje në Kamëz, që çoi në plagosjen me thikë të dy prej tyre.
Policia e Tiranës ka arrestuar dy të mitur të identifikuar si autorët e plagosjes së bashkëmoshatarëve të tyre 16-vjeçarë.
Sherri, që përfshiu pesë të mitur, nisi me grushte dhe më pas u përdor një mjet prerës thikë, duke plagosur dy prej tyre. Një prej të plagosurve mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës në kujdesin e mjekëve, ndërsa i mituri tjetër ka lënë spitalin.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ka marrë dëshmi nga të pranishmit në vendngjarje dhe po punon për gjetjen e thikës së përdorur. Në dëshmi të miturit kanë deklaruar se thikën e kanë hedhur në rrugë kur po largoheshin nga vendngjarja. Hetimet nga policia kanë zbuluar se konflikti mes adoleshentëve kishte nisur pas një përplasjeje të mëparshme mes tyre dhe ishin ndarë në dy grupe, tre kundër dy vetave. Konflikt që agravoi në përdorimin e thikës në rrugicën përballë shkollës “Ibrahim Rrugova”. Ngjarja ngre shqetësime për sigurinë në shkollat shqiptare, ku vetëm 30% e institucioneve kanë oficerë sigurie. (A2 Televizion)