Një ngjarje e pazakontë është regjistruar ditën e sotme në Fier, ku një grua 49-vjeçare është arrestuar nga Policia pas dyshimeve për dhunë fizike dhe kërcënime ndaj një avokati.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë “shtetasja V. Xh., banuese në fshatin Mbrostar Ura, është ndaluar në flagrancë nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, pasi ka kanosur dhe goditur në ambientet e zyrës avokatin A. K., 59 vjeç, banues në Fier”.
Avokati i dhunuar përfaqëson djalin e 49-vjeçares në një proces gjyqësor kundër prindërve të tij, çka dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i konfliktit të dhunshëm mes palëve.
Policia njofton se materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)