Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në fshatin Çërravë të Pogradecit, ku një stallë me bagëti është përfshirë nga flakët dhe është shkatërruar plotësisht.
Përveç dëmtimit të ndërtesës, zjarri ka shkaktuar humbje të konsiderueshme edhe në gjënë e gjallë. Sipas pronarit të stallës, Agjërim Kapa, më shumë se 170 dele janë djegur të gjalla, duke e përshkruar dëmin si të jashtëzakonshëm.
Fatmirësisht, nuk raportohet për lëndime njerëzore.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet për një shkëndijë elektrike ose pakujdesi.
Ndërkohë, Emergjencat Civile të Bashkisë Pogradec pritet të kryejnë vlerësimin e plotë të dëmeve dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për familjen e prekur nga kjo fatkeqësi. (A2 Televizion)