Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, autorin e vrasjes së gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit pasi komunikoi verdiktin për një çështje pronësie në Shkodër.
E njëjta masë sigurie i është komunikuar edhe xhaxhait të tij, Gjon Shkambi dhe rojës së sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj. Seanca është zhvilluar nën drejtimin e gjyqtares Marinela Osmani.
Elvis Shkambi ka kërkuar falje publike ndaj familjes së gjyqtarit Kalaja, duke u shprehur se vrasjen e ka kryer në kushtet e tronditjes psikike nga kalvari i gjatë i gjyqeve.
Ndërkohë, Gjon Shkambi, i cili akuzohet për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të mbetur në tentativë, është shprehur në gjyq se nuk kishte informacion për aktin që do të kryente nipi i tij.
“Nuk kisha dijeni për veprimin e nipit, po dilja nga salla e gjyqit kur qëlloi gjyqtarin”, ka thënë në gjyq Gjon Shkambi.
Të dy të pandehurit kanë shprehur pakënaqësi ndaj sistemit gjyqësor, duke pretenduar se gjykatat nuk kanë dhënë zgjidhje sipas ligjit për çështjen e pronësisë së pallatit, që pretendojnë se është i tyre. (A2 Televizion)