Vrau gjykatësin, avokati i Elvis Shkambit: Ka punuar si roje sigurie në institucione, por armën e kishte pa leje

Nga A2 CNN
9 Tetor 2025, 10:06 | Kronikë

Elvis Shkambi, autori i vrasjes së gjykatësit, Astrit Kalaja u la në burg nga Gjykata e Tiranës, së bashku me xhaxhain e tij Gjon Shkambi, si dhe rojën e sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj.

Autori dhe xhaxhai i tij kërkuan falje publike familjes së gjykatësit Kalaja, duke u shprehur se ngjarja ishte derivat i tronditjes së rëndë psikike që kanë pësuar për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve për pronësinë.

Sakaq pas komunikimit të masave të sigurisë, për mediat ka folur avokati i autorit, Kujtim Ibra, i cili ka pranuar se arma e përdorur nga Elvis Shkambi, ishte pa leje.

Por avokati ka bërë me dije se autori kishte disa vite që mbante armë me vete, pasi ka punuar sipas Ibrës në disa institucione sigurie.

“Ka vuajtur shumë sa i takon çështjeve civile, ka hyrë në shumë borxhe për shkak të një kalvari të gjatë. Tronditja ka qenë për shkak të vendimit të dhënë, duke qenë se do rikthehej edhe njëherë çështja në fillim. Arma nuk ka qenë me leje, pro Shkambi pretendon se ka punuar në disa institucione. Ai kaq deklaroi në seancë. Duhet t'i kërkojmë falje familjes Kalaja, ka kërkuar falje për dy të plagosurit dhe për gjyqtarin. Është goditur një gjyqtar, është i pajustifikueshëm, gjyqtari dhe prokurori janë në zbatim të ligjit nuk mund të vriten dhe unë besoj se kjo kambanë alarmi do jetë edhe për sistemin e drejtësisë, që s’duhet të arrijnë në zvarritje të tejskajshme”, tha avokati. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos