Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së Burgjeve?

Nga Armand Bajrami
24 Korrik 2025, 15:42 | Kronikë

Detajet, si u përgjua Veliaj në furgonin e Policisë së

“Eri jam. Më merr çikë në Whatsapp tek ky numri”. Thirrja telefonike e bërë në numrin e bashkëshortes së kryebashkiakut Erion Veliaj, Ajola Xoxa, pasditen e 11 marsit, që ishte ndërkohë nën përgjim, ka ngjallur kureshtjen e hetuesve të SPAK.

Gati dhjetë minuta me herët, e njëjta kërkesë ishte bërë në numrin telefonik të vëllait të kryebashkiakut Veliaj.

Hetimi i mëtejshëm zbuloi se telefonuesi ishte kryebashkiaku Veliaj dhe se telefoni i përkiste efektivit të Policisë së Burgjeve, që ishte në autoburg bashkë me të, gjatë shoqërimit nga paraburgimi i Durrësit në Gjykatë dhe anasjelltas. Përdorimi i telefonit të gardianit për 12 thirrje hyrëse e dalës i shtoi akuzën e “futjes së sendeve të ndaluara në burg” Veliajt, e po ashtu vuri nën përgjegjësi penale për të njëjtën akuzë edhe efektivin Fatjon Baci, raporton A2 CNN.

Në deklarimet e tij në SPAK, efektivi ka zbardhur edhe përmbajtjen e bisedave mes Veliajt e vëllait dhe bashkëshortes.

“Erioni më tha, a mund t’i bëja një nder, se donte të merrte vëllain e tij në telefon, pasi ndihej keq. Unë në atë moment kam qenë i prerë dhe ja dhashë telefonin”, ka treguar Baci. Sipas tij, bisedën e parë kryebashkiaku e kishte bërë me vëllain e mandej me të shoqen.

E njëjta kërkesë i ishte bërë nga kryebashkiaku edhe të nesërmen dhe ua kishte dhënë telefonin, nisur nga frika që kishte për shkak të pushtetit dhe personit që përfaqësonte. Në bisedat me familjarët, sipas tij, Veliaj kishte shprehur pakënaqësi për shtyrjen e vendimit. “Kur më ktheu telefonin, ka treguar gardiani, nuk më tha asgjë. As faleminderit”, ka deklaruar gardiani, shkruan A2 CNN.

Ndërsa për ditën e tretë, pas konfirmimit të “arrestit në burg”, në bisedën e radhës, sipas gardianin, Veliaj i ka thënë të vëllait “S’kam ça të them, e kanë personale me mua”.

Në bisedat vijuese, gardiani ka dëgjuar Veliajn t’i thotë familjarëve si plan për shpëtimin nga burgu kandidimin e tij për deputet, siç kishin bërë edhe kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peçi apo një me mbiemër Malaj për t’i shpëtuar SPAK-ut. 

“Po ashtu, është shprehur gardiani, gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut”, përcjell A2 CNN.

Të mërkurën Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij u morën të pandehur nga SPAK për 4 vepra penale secili, ndërsa për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur gati 30 vetë në total, persona fizikë dhe juridikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos