Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë së Durrësit konfiskoi dy pasuri të Luan Kertallit të përfituara nga veprimtaria kriminale. Bëhet fjalë për një vilë me pishinë dhe mbi 1 mijë metër katror truall në Durrës.
Policia “bëri ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit L. K..Këtij shtetasi iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prezencë të familjarëve të shtetasit L. K..”, njofton Policia.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. K. i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Dy vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. (A2 Televizion)