Ish-ministri i Rendit, Bajram Yzeiraj, duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN për identikitetin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit theksoi se do ishte mirë që ai të kishte një karrierë si efektiv dhe të mos hyjë nga “dritarja” në Polici. Po ashtu sipas Yzeirajt ka ardhur koha që kryepolici të ketë një kulturë të gjerë dhe aftësi për të komunikuar me opinionin publik dhe mediat.
“Drejtori i Policisë është një figurë profesioniste që duhet të vijë nga karriera policore, karrierë e rregullt, mundësisht të ketë qenë edhe policë, të ketë bërë patrullë, t’i ketë prekur shërbimet, funksionet. Të mos jetë nga këta që hyjnë në polici nga dritaret, apo që ka patur ulje-ngritje gjatë karrierës, që njëra force politike e merr dhe tjetra e heq. Ka ardhur koha pas 30 e ca vjet që të jetë me kulturë të gjerë. E vini re që drejtorët e Policisë nuk flasin dot, nuk komunikojnë dot me opinionin publik dhe mediat, kjo tregon mungesë kulture, dhe mungesë kurajë për t’i thënë dhe shprehur gjërat. Plus kriteret e tjera që ka ligji për Policinë e Shtetit. Mbi të gjitha duhet të gëzojë simpatinë e punonjësve dhe t’i frymëzojë”, tha Yzeiraj. (A2 Televizion)